Sonntag, 24. April 2011
Agim Shehu: BALADË LIRIE E KOSOVËS
BALADË LIRIE E KOSOVËS
Posi nga zër’ i perëndive
u zgjua kontinenti plak.
Nga cili akt i tragjedive
sot mbi Kosovë kulloi kaq gjak?!
Në ç’kontinent jeton kështu
një popull si mbi rjedhë ujvare?!
Foshnjat, kaq breza, qiellin blu
e shohin mbi helmetat sllave.
Dhe sot i vranë në prag shtëpie, -
nga tym i predhës u thinj Zoti.
Te syr’ i nxjerrë i një fëmije
përmbys po rrotullohet globi.
Prindi puth baltën e varrezës;
qirinjtë luten në pak dritë.
Nëpër çdo rudhë të Nënë Terezës
rjedh lot i nënave për bijtë.
Të vrarë, burrat heshtur flënë
me qiellin e vet mbuluar.
Kapaku i syve u ka rënë
si perde drame e pambaruar.
Te trolli i vet ku shtrijnë shtatin
dëgjojnë…poshtë thellësive
mermerët pelazgjikë u flasin
me emrat e të gjithë ilirëve.
«Dhija» mbi kokën e Lahutës
thërret nga larg mitologjinë :
«Homer, ç’Iliadë me gjëmë të luftës
ke lënë bosh për Dardaninë»?
Nipat e Mujit vrarë mbrëmë
po pëshpërijnë me buzë të ngrirë
(nuk i dëgjuan sa qenë më këmbë,
le t’i dëgjojnë sot të shtrirë) !
Pa frymë hapësirat ngelin.
Gjaku i foshnjës sipër bore
te gjum’ i bardhë i Azem Shkrelit
ka ngrirë rubin prej metafore.
Jehoi bubullimat mali,
pylli kurorën butë e uli :
Azem Galica ka nxjerrë ballin,
thërret nga larg me zë Herkuli.
Lëviz një breg, drithmon një fushë
e mërmërin një këngë të lashtë :
«Drenicë, e bukura drenushë,
kush po guxon të vret kaq gjatë»!?
Shota vështron si dritë nga retë
motrën e saj mbi gjak lirie,
këput ylberin nga një bjeshkë
t’ia vërë kurorë nusërie.
Varr i Gjolekës rënë mes trimave
u kumbon pranë-polifoni :
«Kosovë, Labëria ime
udhën një hap e ka tek ti»!
Fishta me dhëmbjen e pafjetur
për shkjaun-shkja e fisin-fis,
me rapsoditë e tij nën sqetull
del nga një mriz, hyn te një plis.
Këndon lahutë vdekjet e bardha
me ligjërimet e mëdha.
Varur te lisi Sefë Kosharja
tundet pendyl: “Ora ka ra”!..
Ajkuna po ia vazhdon gjëmës
me flokë shkulur pranë të vrarëve:
Fëmia prerë në bark të nënës
bën gjumë nën dhè brënda dy varreve.
Hasan Prishtina zgjoi Veriun.
Vdekjen e tij e lë në hije:
s’sheh më pas vetes kush i shtiu,
vështron Drenicën – kush i shtie!
Kosova, muhaxhire e shekullit,
sheh qiellin e saj të prerë:
te reja e zezë që i derdh breshërin
nxin fraku i zi i zotit Grej.
Rizgjohen fjalët e mëdha
të Abdyl Frashërit profet:
Me gjak shqiptarësh në çdo krah,
Ballkani rri përmbi tërmet !
Gjer kur, Kosovë e Çamëri,
ngarkuar në sup pragun e portës,
do lidhni djepet n’arrati
me meridianët e gjithë botës!?
Në ballë të kombit bërë theror
iu kthye bubullimë heshtja:
gjersa po vdesim orë për orë,
pas vdekjes s’gjëndet vetëm vdekja!
Në shkumën e ujvarës sate
që tundi kombin sot nga rrënja
partitë e shkrehura po zgjaten
të mbushin “bateritë” e rëna.
Mbi plagë të tua tejendanë,
zinxhir i zgjatur – thikë në shpinë,
nxin kontrabandë e shtetit amë
që lidhi Beograd – Athinë.
Tërë hijeshi mban zi për vdekjet,
për vajzat që t’i veshi zia…
(Atdheu – amë, nën këngët greke
feston aheng “Miss Albania”)!
Ti gjak virgjin i racës sonë,
në duel me çdo mbretëri:
sa vriteshe në Fushë-Kosovë
ringjalleshe në Çamëri.
Ti, më e denja e të parëve,
ti – më e hijëshmja në rritje,
me „Shqipëri“ në frymëmarje,
me bukuri në kryengritje.
Djepet – dafina mbi alarme,
dasmat – ylberë mes rrebeshit;
mbi kodrat, lulet e bajames
çelin pranë kokrave të breshërit.
Dardane mbirë prej legjendës,
rilind te shtat’ i lartë i bijve;
nga kumbonarja e xhubletës
të kumbon bronzi i lirive.
Sa ke ushqyer zogjtë e pulës,
mendon një këngë për shqiponjat.
Zhurmat e tankeve pranë udhës
shpejtojnë lindjet te lehonat.
Me besën në pëllëmbë të dorës,
dafinë e parë e Lirisë,
Flamuri në ballkon të Vlorës
armët e tua pati shtizë.
Ti i dhe botës Kostandinin,
Ti që ke nxjerrë Niketë Dardanin,
në ballë – me Hymn të Krishterimit,
nën këmbë, prangat e tiranit.
**Prill, 1998
Poezinë e solli për ju, Agim Gashi - Drenica.
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen