Poeti Mihal Hanxhari
Elegji për Kosovën
Zot nëse njerëzit s’dinë të shohin sot
Dhe nesër askush s’do ketë më sy
Shpëto o Zot vetëm sytë e fëmijve të Kosovës
O Zot shpëto ata sy të kaltërt të peshqëve blu
Që flenë në shi dhe ëndërrojnë engjëjt e tu
Zot nëse zërat e çmendur s’do pushojnë
Dhe tamtamet do përplasen në k upën e qiellit
Dhe klithmat e marra do qeshin e do thërrasin
Zot shpëto ato heshtje të pleqve të Kosovës
Që flasin me brazdat e baltës plot ujë të vjetër
Ujë nga shiu i parë i botës që njomi këtë dhe
Zot nëse s’do ketë më vend në botë ku të lindin nënat
Oh lere o zot atë rrugë të gjatë ku nuset e Kosovës
Po lindin yjet e Yllnajës së Mjellmës
O Zot ato janë foshnjat e tua
Dhe në s’do ketë shenjë delyzhi ku pirgu do bëhet
Gropë dhe gropa kodër mbill nëpër rrugët e Kosovës
Dyqind qiparisa dy mijë qiparisa dyqind mijë qiparisa
Dhe dy millionë rrape o Zot
Dhe ai do jetë pylli i parë i Lirisë në botë
Tiranë, Prill 1999.
Mihal Hanxhari lindi në Kentaki (SHBA) dhe vdiq në Tiranë. Studimet e mesme i kreu në gjimnazin e Tiranës ndërsa të lartat në Universitetin e Budapestit. Në vitet 60-75 kreu një punë të shquar për ngritjen në nivele europiane të bibliotekës së Universitetit të Tiranës. Në vitet 94-95 mbajti leksione në Institutin e Gjuhëve dhe Qytetërimeve Orientale në Paris . Vepra që ai ka lënë-poezi, prozë, përkthime, piktura, fotografi artistike- është e një cilësie të veçantë artistike.
Krijimet e tij përbëhen nga dy vëllime me poezi origjinale, tri vëllime me proza poetike gjithashtu origjinale dhe gjashtë vëllime me përkthime të poetëve të mëdhenj botëror, si Mikelangelo, Shakespeare, Tagore, Wild, Baudelaire, Gide etj.
Mihal Hanxhari për shumë vjet me radhë pati shkruar një numër të madh poezizh, prozë dhe përkthime, të cilat u gjetën pas vdekjes së tij në qershor të 1999. Pas vdekjes së tij, familjarët dhe shokët i botuan këto shkrime. Ato përbëhen nga dy vëllime me poezi origjinale, tri vëllime me proza poetike gjithashtu origjinale dhe gjashtë vëllime me përkthime të poetëve të mëdhenj botëror, si Mikelangelo, Shakespeare, Tagore, Wild, Baudelaire, Gide etj. Kritikët e shquar shqiptarë e kanë vlerësuar shumë lartë këtë krijimtari. Janë shkruar me dhjetra artikuj në gazetat shqiptare e në Kosovë e Maqedoni. Janë bërë edhe disa emisione në kanalet televizive të Shqipërisë. Këto vlerësime janë botuar në një volum të veçantë të titulluar: "Mihal Hanxhari. Njeriu dhe vepra". Kritikët tanë letrarë e kanë quajtur Mihalin "Poet i përmasave të mëdha të nivelit evropian, Yll i zbuluar me vonesë". Akademiku kosovar Ali Aliu, poetin Mihal Hanxhari e ka përfshirë në librin "Antologjia e Poezisë Shqipe, gjysmë shekulli i artë". Fakulteti i Gjuhë Letërsisë në Universitetin e Tiranës ka dhënë dy tema diplome për poezinë e Mihal Hanxharit.
Më poshtë po jepen disa nga poemat e Mihal Hanxharit dhe po fillohet me poezinë e fundit që shkroi Mihali, të titulluar "Elegji për Kosovën". Kjo poezi që u botua një muaj pas vdekjes së Mihalit u vlerësua lart nga poeti kosovar Ali Podrimja si më e mira për tragjedinë Kosovare.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen