KOSOVË...!
 
(me rastin e 5 vjetorit te pavaresise)
 
 Kurrë më të kuqe, se sot nuk të kam parë Kosovë...
 Me dritë shpirtrash, që treten si qirinj...
 Mbi shandanë zemrash të ngritur gjer në qiell,
E tej horizontesh të hapura të lirisë.
 Shpresa thërret ,
 Thërret e buçet :
 -Qëndro Burrnesh!
 Qëndro!
 
 Se gjiri yt, paska mëkuar legjenda ndër mote,
 Se gjaku yt, rinon e freskon çdo ëndërr...
 Se zëri yt, ka forcën e gjithë kambanareve të Botës,
 O bija e vogël e Globit të plakur,
 Ti je aq e vogël, sa një gradë gjenerali,
 Ti je aq e madhe, sa vetë pëllëmba e Zotit ...
 
 Oh sinorët e tu, veç shënjtërohen nga plagët,
 Oh këmbët e tua, nuk janë më të kërthinjta,
 Ti rend e mëvetshme, me krahë të kaltër,
 Përshëndetur nga kohrat, me pëllëmbë të zhuritura
 Me kore zërash ritmikë, si troku i kuajve të largët...
 
 Flamuri yt i kthjellët, bërë një me qiellin,
 I vetmi ai, që mund të valvitet me frymë heronjsh,
 I vetmi ai që çohet lart sapo ndjen tingujt e himnit,
 I vetmi ai, pret vargjet t'i shkruhen me dritën e Diellit...
 I vetmi ai, që shtërngohet nga duar dragojsh...
 I vetmi ai, që ende rrëqethet nga duhmat e dimrit...
 
 Jo Kosovë! Ti nuk je me tokë, si gjithë dherat e tjerë,
 Tek poret e tua, nuk ndahen më thërmijat e baltës,
 Nga rruazat e gjakut, që rrjedh nëpër deje,
 Një të janë bërë plisat me plagët...
 Erërat e tua, nuk janë më, si gjithe erërat që vërtiten,
 Ato janë dihatja e shpirtrave, me sy të pa fjetun,
 Gjysëm të gjallë nën dhe përpëliten.,
 Me buzë të mekun dhe kurm të pa tretun,
 
 Bëji të besojnë, se ke dalë në dritën e agut....
 Me lajmëtarët, që çove tej pragut...!